Irani kërkon nga Bashkimi Europian që të mundësojë lehtësimin e sanksioneve të vendosura nga Washingtoni pas largimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Presidenti iranian Rouhani ka paralajmëruar se Europa ka dy muaj kohë që të mundësojë lehtësimin e këtyre sanksioneve përpara se vendi i tij t’i kthehet angazhimeve të mëparshme.

“Europa ka dy muaj afat për negociata dhe marrëveshje që të kthehet në angazhimet e saj”, paralajmëroi Rouhani në një mbledhje me kabinetin e tij.

Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se gradualisht do të heqin dorë nga detyrat e tyre të përcaktuara në marrëveshjen e vitit 2015 nëse nuk lehtësohen sanksionet.

Në fillim të muajit Korrik, Irani rriti rezervat e uraniumit, duke kaluar kufirin prej 300 kg të vendosur sipas marrëveshjes së vitit 2015 për programin bërthamor.

Rouhani nuk specifikoi cili do të jetë hapi i radhës nëse BE nuk mundëson lehtësimin e sanksioneve, por la të kuptohet se do të ketë të bëjë me transformimin e programit bërthamor të vendit.

Gati 1 vit më parë, Presidenti amerikan Donald Trump hoqi dorë nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, me pretendimin se ky shtet nuk po zbaton këtë marrëveshje. /tvklan.al