Ayatollah Khamenei: Biden bën kërkesa të njëjta sikurse Trump

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei e akuzoi të shtunën presidentin amerikan, Joe Biden se po bën kërkesat e njëjta sikurse paraardhësi i tij, DonaldTrump, në lidhje me bisedimet për të ripërtëritur marrëveshjen bërthamore.

Kjo marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore, hiqte sanksionet ndaj Iranit, në këmbim të frenimit të programit bërthamor. Por ish-presidenti Trump, e tërhoqi SHBA-në nga kjo marrëveshje më 2018. Në raundin e fundit të bisedimeve ndërmjet Iranit dhe shteteve nënshkruese të marrëveshjes, nuk pati përparim.

“Administrata e tanishme amerikane nuk është e ndryshme nga e kaluara sepse ajo çfarë kërkon nga Irani për çështjet bërthamore është e formuluar me fjalë të tjera, por në thelb është e njëjta gjë me atë që kërkonte Trump”, citohet të ketë thënë Khamenei.

“Amerikanët nuk kanë turp sa i përket çështjes bërthamore edhe pse ata u tërhoqën nga marrëveshja, tani ata flasin në një mënyrë dhe bëjnë kërkesa sikur të ishte Irani ai që u tërhoq”, shtoi ai.

Ajatollahu i bëri këto komente gjatë takimit me kabinetin e sapoformuar të presidentit iranian, Ebrahim Raisi. Pasi SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja, Uashingtoni vendosi sanksione të reja ndaj Iranit dhe ky i fundit u kundërpërgjigj duke shkelur zotimet e bëra në marrëveshjen e vitit 2015.

Klan News