Ministria e Jashtme: Ky vendim përbën shkeljen e sovranitetit të vendit

Teherani ka dënuar vendimin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara për të ngritur një hetim të pavarur mbi dhunën e vazhdueshme kundër protestuesve në Iran.

Në fillim të këtij muaji, Gjermania dhe Islanda paraqitën një projekt-rezolutë tek shtetet anëtare të Këshillit duke u kërkuar atyre të nisej një mision i pavarur për të filluar investigimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Rezoluta u hodh në votim pasditen e së enjtes dhe u miratua me 25 vota. Gjashtë shtete anëtare të Këshillit të të Drejtave të Njeriut votuan kundër dhe 16 abstenuan. Por pas kësaj ministria e Jashtme e Iranit tha se nuk do ta njihte misionin.

“Formimi i çdo mekanizmi të ri për të shqyrtuar incidentet gjatë dy muajve të fundit në Iran është i padobishëm dhe paraqet një shkelje të sovranitetit kombëtar të vendit”, thuhet në një deklaratë të lëshuar.

Vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini, në Teheran më 16 Shtator shkaktoi valën e trazirave që përfshiu të gjithë vendin.

Zyrtarët thanë se ajo ndërroi jetë për shkaqe natyrale, por dëshmitarët okularë dhe familja e saj thonë se ajo u rrah pasi u mor në paraburgim nga policia e moralit në Iran.

Klan News