Teherani ka bërë të ditur se sulmet janë ndikuar nga palë të treta që po i përgjigjen krimeve të luftës dhe gjenocidit

Irani ka mohuar përfshirjen në një sulm me dron në Jordani që vrau tre personel ushtarak amerikan dhe plagosi dhjetëra të tjerë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani hodhi poshtë si të pabaza akuzat e SHBA-së. Kanani këmbënguli se Irani nuk ishte i përfshirë në vendimmarrjen e grupeve të Rezistencës në mënyrën se si ata zgjodhën “të mbronin palestinezët ose vendet e tyre”. Teherani i referohet rrjeteve të tij të përfaqësuesve dhe grupeve aleate në rajon si “Boshti i Rezistencës”.

“Siç e kemi thënë qartë më parë, grupet e rezistencës në rajon po i përgjigjen krimeve të luftës dhe gjenocidit dhe ata nuk marrin urdhra nga Republika Islamike e Iranit”, tha Ministria e Jashtme iraniane. Presidenti i SHBA Joe Biden dhe Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron kanë fajësuar grupet e mbështetura nga Irani për sulmin e së dielës pranë kufirit me Sirinë.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara tha gjithashtu në një deklaratë se nuk kishte asnjë lidhje me sulmin, për të cilin fajësoi “konfliktin midis forcave amerikane dhe grupeve të rezistencës në rajon”. Sulmi me dron në Kullën 22, një bazë mbështetëse logjistike, shënoi humbjen e parë të ushtarëve amerikanë që nga fillimi i luftës në Gaza.

Biden, i cili ka mbështetur me vendosmëri luftën e Izraelit në Gaza, dënoi sulmin e neveritshëm dhe tërësisht të padrejtë dhe është zotuar se do t’i kërkojë të gjithë ata që janë përgjegjës të japin llogari. Jordania, një aleat i ngushtë amerikan, ka strehuar baza ushtarake amerikane për disa kohë. Rreth 3,000 trupa amerikane janë të stacionuar në Jordani, një vend që kufizohet me Irakun, Izraelin, territorin palestinez të Bregut Perëndimor, Arabinë Saudite dhe Sirinë.

Ky sulm u shtohet atyre ndaj bazave amerikane në Irak dhe Siri nga përfaqësuesit e Iranit në rajon. Disa ushtarakë amerikanë u plagosën në një sulm me raketa ndaj bazës ajrore AlAsad në Irakun Perëndimor javën e kaluar. Ekspertët shprehen se SHBA-ja e di se tani duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur jetën e ushtarakëve. Kritikët e presidentit do ta shfrytëzojnë këtë krizë për ta akuzuar sërish presidentin se po mban një qëndrim gjithnjë e më të butë ndaj Iranit.

Klan News