Rouhani, thirrje Biden që t’i rikthehet marrëveshjes bërthamore

Presidenti iranian, Hassan Rouhani i bëri thirrje presidentit të zgjedhur të SHBA, Joe Biden që t’i rikthehet marrëveshjes bërthamore të 2015-s dhe të heqë sanksionet e vendosura nga administrata e Donald Trump ndaj Teheranit. Duke folur në një takim me kabinetin qeveritar, të transmetuar në televizor, Rouhani tha se ‘topi tani ishte në fushën e SHBA’.

Nëse Washingtoni rikthehet tek marrëveshja bërthamore e 2015-s edhe ne do të respektojmë të gjitha angazhimet tona në këtë marrëveshje“, tha ai. Duke u ndalur tek Trump, presidenti iranian shtoi: “Epokës së një tirani i erdhi fundi dhe sot është dita e fundit e udhëheqjes së tij ogurzezë”.

Tensionet mes dy vendeve u rritën gjatë kohës që Trump mbajti postin e Presidentit, duke arritur kulmin pasi SHBA-të vranë gjeneralin iranian Qasem Soleimani, Janarin e shkuar.

Sipas asaj që shkruan CNN, me ardhjen e Biden në krye të shtetit, i cili ishte pjesë e administratës së Obamës kur u negociua marrëveshja origjinale, shpresat për rivendosjen e marrëdhënieve miqësore janë të mëdha.

Në takimin e së mërkurës, Rouhani nuk u kursye me kritikat ndaj Trump, duke thënë se “4 vitet e tij në detyrë nuk dhanë asnjë fryt, përveçse padrejtësi e korrupsion dhe probleme për vetë popullin e tij dhe për botën”./tvklan.al