Amerika fajëson Gjermaninë e Francën se po mbështesin terrorizmin

Irani po shkakton orët e fundit përçarjen me të madhe mes aleatëve në NATO mes SHBA-së nga njëra anë dhe Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.

Sekretari i Shtetit Pompeo i akuzoi shtetet evropiane se “kanë kaluar në anën e Ajatollahëve”. Kryediplomati amerikan u tha gazetarëve në Kombet e Bashkuara se ishte një “gabim i madh” moszgjatja e embargos se armëve ndaj Iranit.

Sipas tij SHBA-ja ka rivendosur të gjitha sanksionet e saj mbi Iranin dhe nuk do të lejojë kurrë që ky shtet terrorist të blejë dhe shesë lirisht armë konvencionale siç janë tanket.

Ndërkaq pas rivendosjes së sanksioneve amerikane ndaj Teheranit, Ministrat e Jashtëm të tri shteteve Heiko Maas, Jean-Yves Le Drian dhe Dominic Raab, deklaruan në një reagim të përbashkët se ky hap është i papajtueshëm me përpjekjet aktuale në lidhje me marrëveshjen bërthamore ndërkombëtare me Iranin.

Pas abrogimit të njëanshëm të marrëveshjes bërthamore në Maj të vitit 2018, SHBA nuk është më anëtare e marrëveshjes, thanë ministrat.

“Problemi aktual i shkeljeve sistematike nga ana e Iranit e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja duhet të zgjidhet përmes dialogut”.

Ministrat i bënë thirrje Iranit që të respektojë marrëveshjen, “të tërheqë dorë urgjentisht nga të gjitha masat që nuk janë në përputhje me detyrimet e tij bërthamore dhe të rikthehet menjëherë në zbatimin e plotë” të marrëveshjes.

Klan Plus