Irani ka pranuar se ushtria qëlloi “pa dashur” avionin ukrainas, ku humbën jetën 176 personat që ndodheshin në bord.

BBC raporton mëngjesin e kësaj të shtune se në një deklaratë thuhet se ngjarja ndodhi për shkak të një “gabimi njerëzor” pasi avioni fluturoi pranë një vendqëndrimi të Gardës Revolucionare të Iranit.

I menduar si një “shënjestër armike”, avioni u godit nga një raketë. Në deklaratën e publikuar në televizionin shtetëror iranian thuhet se personat përkatës do të mbajnë përgjegjësi.

Më parë, Irani i kishte mohuar pretendimet se një nga raketat e saj rrëzoi avionin në Teheran të mërkurën. Mirëpo presioni u shtua nga SHBA-të dhe Kanadaja që citonin shërbimet inteligjente, të cilat besonin se Irani kishte goditur avionin me një raketë, me shumë mundësi aksidentalisht.

Në një Twitter, Presidenti i Iranit Hassan Rouhani tha se përplasja ishte një “gabim i pafalshëm”. Rrëzimi i avionit ukrainas erdhi disa orë pasi Irani sulmoi me raketa dy baza ajrore të SHBA-ve në Irak. Të 176 pasagjerët, të cilët udhëtonin drejt Kievit, humbën jetën.

Bëhet fjalë për 82 iranianë, 57 kanadezë, 11 ukrainas si dhe suedezë, britanikë, afganistanas dhe gjermanë./tvklan.al