Presidenti iranian Hasan Rohani paralajmëroi për pasoja të rënda në rast se amerikanët dhe aleatët europianë ndryshojnë marrëveshjen e 2015 për programin bërthamor të Teheranit.

Përpara mijëra mbështetësve në Teheran, Ruhani tha se askush nuk kishte të drejtë të ndryshonte marrëveshjen 7 palëshe, mes Iranit dhe fuqive të mëdha. Në shënjestër vuri presidentin amerikan Donald Trump, të cilin tha se nuk kishte asnjë eksperiencë politike për të negociuar marrëveshje me rëndësi globale. Ndaj tij përdori etiketime si “tregtar” e  “ndërtues kullash” që nuk ia ka idenë marrëdhënieve ndërkombëtare.

Reagimi i Ruhanit erdhi pasi takimit Trump-Makron në Shtëpinë e Bardhë, ku dy presidentët shprehën nevojën për një marrëveshje të re me Iranin.

Sipas propozimit të ri, Iranit pritet ti kërkohet pezullimi i plotë i aktivitetit bërthamor deri në 2025 dhe rishikimi i programit raketor. Marrëveshja e 2015-ës, i lejonte Iranit të zhvillonte programin bërthamor vetëm për qëllime paqësore nën monitorimin e Kombeve të Bashkuara, duke mos hequr dorë nga programi i raketave balistike – pika këto që kundërshtohen ashpër nga Trump.

Tv Klan