CNN raporton se Irani ka nisur sulmin ndaj Izraelit, duke përdorur me dhjetëra dronë. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit. Daniel Hagari tha se po e vëzhgonin me vëmendje kërcënimin në hapësirën e tyre ajrore dhe shtoi se ky kërcënim do të dojë disa orë përpara se të mbërrijë në Izrael.

“Nëse do të zbulojnë kërcënime specifike që duan më pak kohë të mbërrijnë, do t’ju njoftojmë menjëherë”, tha zëdhënësi. Ai u kërkoi qytetarëve që të tregohen vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. “I njohim këto kërcënime dhe jemi përballur me to edhe në të shkuarën”, shtoi ai.

Sulmi u konfirmua edhe nga zyrtarët amerikanë, pak kohë pas deklaratës të Forcave të Mbrojtjes izraelite.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sistemet e mbrojtjes së vendit janë gati, ashtu sikurse forcat e armatosura. “Kam vendosur një parim të qartë. Kushdo që na bën keq, ne do i bëjmë keq. Ne do të mbrohemi nga çdo kërcënim dhe do ta bëjmë këtë me gjakftohtësi dhe vendosmëri”, tha ai.

SHBA paralajmëroi më herët se Irani mund të sulmonte disa objektiva brenda në Izrael, në kundërpërgjigje për sulmin izraelit në konsullatën iraniane në Damask, më 2 Prill. Nga ky sulm u vranë disa zyrtarë iranianë.

Për shkak të situatës tejet të tensionuar në Lindjen e Mesme, presidenti amerikan Joe Biden u rikthye në Washington, për të zhvilluar një mbledhje urgjente me ekipin e sigurisë kombëtare.

Ndërkohë, po gjatë ditës së sotme, Irani konfiskoi një anije mallrash pranë ngushticës së Hormuz me 25 anëtarë në bord. Sipas medias shtetërore iraniane, anija menaxhohet nga një kompani të lidhur me një biznesmen izraelit.

Anija e konfiskuar nga Irani
Anija e konfiskuar nga Irani

Duke cituar burime pranë Ushtrisë Amerikane, CNN raportoi gjatë kësaj të shtune për lëvizje të shumta të trupave ushtarake iraniane pranë kufijve të këtij vendi, përfshirë dronët dhe raketat me rreze të largët veprimi. Izraeli tha se ishte në gatishmëri të plotë dhe se Irani do të vuajë pasojat nëse e përshkallëzon më tej situatën.

Sakaq edhe Shtetet e Bashkuara po përgatisin forcat që kanë në rajon. Siç shkruan e përditshmja Wall Street Journal, luftanijet amerikane kanë marrë urdhër të jenë të gatshme të t’iu kundërpërgjigjur çdo sulmi të mundshëm iranian ndaj Izraelit. Të premten, presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje Iranit të mos ndërmarrë asnjë sulm, pasi në të kundërt Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë aleatin e tyre./tvklan.al