Në programin “Rudina” në TV Klan ishte e ftuar një këngëtare mjaft e dashur e muzikës tradicionale popullore shqiptare. Bëhet fjalë për Irini Qirjakon, e cila në studio ka rrëfyer për disa koncerte që ka realizuar gjatë muajit Nëntor të vitit të kaluar në Itali, me titullin “Bach is Back”.

Aty është ndërthurur muzika klasike e Johaness Sebastian Bach, me polifoninë shqiptare. Irini tregoi se tashmë grupi ka marrë patentën për të zhvilluar koncerte të tilla në të gjithë botën.

Më tej, Qirjako ka treguar se kostumet popullore kanë qenë veshja e saj në çdo dalje në skenë dhe pavarësisht se miqtë i thoshin të ndryshonte veshje, e kishte shumë të vështirë.

Irini Qirjako: Deri në kohën që ka qenë ai sistem, ne në skenë dilnim patjetër me kostum popullor, se unë isha soliste kryesore e ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve popullore dhe ajo ishte veshja ime që nuk lëvizte. Pastaj kur erdhi demokracia, ne sigurisht lëvizëm me koncerte të ndryshme brenda vendit, nëpër botë dhe jam veshur edhe me fustane civile, siç po vij këtu tek ty. Po çuditërisht unë videoklipet e para, që kam bërë shumë videoklipe, unë nuk ndahesha dot nga kostumi popullor dhe i bëja vetëm me kostume popullore dhe pastaj më thanë miqtë e mi: O Irini, po ndrysho ndonjëherë, dil pak ndryshe, vish edhe ti fustan si gjithë të tjerët.  Edhe pastaj avash-avash, edhe unë i ndryshova, por nuk ikja dot çuditërisht./tvklan.al