Në prag të 95-vjetorit të lindjes

Dy ditë para se të fluturonte nga Londra drejt Floridas për të takuar Iris Apfel, gazetarja Megan Conner e ‘The Guardian’, planifikoi të pushonte në plazh, ndërsa personazhi i saj ndodhej në New York. Papritur të nesërmen gjithçka kishte ndryshuar. Apfel kishte udhëtuar në Barcelonë për Javën e Modës.

U duk sikur të gjitha planet kishin shkuar deri në takim me të që padyshim nuk do të ishte si bisedat me gjyshen e saj, pasi Apfel është ligj në fushën e modës. Iris Apfel, nuk është modele e re, as seksi, por padyshim mbetet ikona më e madhe e stilit në dekadat e fundit.

Më 25 Gusht ajo mbush 95 vjeç, por pasioni i saj për stilin dhe modën, duket se nuk ka shterur asnjë çast. Në dukje ka një pamje paksa të ashpër dhe snobe. Pas syzeve gjigande fshihet një shikim i zhdërvjellët që nuk i shpëton asnjë detaj. 

Emri i saj nisi të lakohet fort që kur vuri këmbë në Shtëpinë e Bardhë. Iris u bë projektuesja e interiorit, krah nëntë grave të Presidentëve të Amerikës. “Marr shumë letra nga fansat. E besoni që shumica janë djem? Djem, jo gay. Ata shohin si vishem dhe duan të njëjtën gjë për të dashurat e tyre”, është shprehur ajo në intervistën me gazetaren Conner.

Apfel nuk i vendos kufij vetes. E pikërisht në këtë pikë dallon stili i saj unik, ku unazat, byzylykët dhe vathët janë aksesorët që e identifikojnë më së shumti. Edhe pse është një grua e moshuar, beson se nuk sheh asgjë të gabuar tek rrudhat që sipas saj janë thjesht shprehje guximi.

“Nuk jam e bukur dhe nuk kam për të qenë kurrë. Aq më bën, sepse kam diçka më të mirë: stilin”- thotë Iris. Në fund, kur e pyet çfarë është moda për njerëzimin ajo përgjigjet: Gjithçka lidhet me modën: politika, ekonomia, shkenca. Nëse sheh një veshje, dallon çfarë ka ndikuar atë. Kështu mund të kuptosh çfarë ka ndodhur në atë periudhë që është realizuar ajo”.

Klan News