Rasti i fundit i abuzimit seksual ndaj një 15- vjeçareje nga roja e shkollës në periferi të Tiranës ka tronditur opinionin publik.

Mijëra protestues marshuan këtë të enjte “Për fëmijërinë e vjedhur”, nën moton “Ngri t`i zërin për ato që nuk kanë zë”.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike me emisionin “Rudina” në Tv Klan, Iris Luarasi, e cila drejton që Qendrën e Këshillimit për gra dhe vajza kundër dhunës në familje, kërkoi kastrim kimik për personat që kryejnë abuzime seksuale me të mitur.

Rudina: Iris mund të më flasësh pak për idenë e kastrimit, të cilën e keni hedhur sot, një tjetër mënyrë për ta trajtuar këtë problem dhe që mesa duket mund të jetë edhe më efikase. Më fol pak për këtë iniciativë që dëshironi të kthehet në një normë ligjore, për këtë lloj dënimi, trajtimi ligjor për pedofilët.

Iris Luarasi: Në fakt kur e hodha këtë si ide sot në rrjetet sociale, shumë menduan mos është kjo një ide si ato që vijnë nga mesjeta? Në fakt nuk është një histori që vjen nga mesjeta, është diçka që ndodh në vendet e zhvilluara. E ke në Kalifornia që në fillim të viteve 1990 ligjin për kastrimin e pedofilëve. Në vitin 2019 është shteti i Alabamës në SHBA që miratoi ligjin për kastrimin kimik të pedofilëve, sepse duhet theksuar kjo, bëhet fjalë vetëm për kastrim kimik. Dhe elementi tjetër pastaj është se vende si Shqipëria ku njerëzit lëvizin nga një qytet të tjetrin në mënyrë të pakontrolluar, pa asnjë lloj diskutimi kjo mund të kthehet në një lloj parajse për shumë pedofilë. Një pedofil që edhe mund të ketë marrë dënimin maksimal nga gjykata, mund të ndodhë që të dalë nga burgu, të ndërrojë lagjen nëse jeton në Tiranë. Apo të ndërrojë qytetin nëse jeton në një qytet tjetër dhe në momentin që ndodh kjo, asnjëri nga ne nuk e kupton që komshiu që ka ardhur me qira në apartamentin përballë është një njeri që është dënuar nga drejtësia për pedofili. Kjo kërkon nga ana tjetër jo vetëm pjesën e kastrimit kimik, por edhe bërjen e një regjistri publik dhe zyrtar për të gjithë ata që janë pedofilë. Edhe kur ata të kryejnë dënimin, duhet të ekzistojnë në një regjistër me figurë dhe emër e mbiemër, në mënyrë që shoqëria të dijë se kush po jeton në pallatin përballë. Kjo është diçka që e bën shumë të vështirë pastaj gjuetinë e predatorëve.

Disa prej mbështetësve të marshimit të 4 Qershorit në publikimet e tyre në Instagram ishin edhe figura të njohura publike si Aurela Gaçe, Dafina Zeqiri, Juliana Pasha, Rozana Radi, Argjentina Ramosaj, Soni Malaj, Oriola Marashi, Tayna, Enca, Çiljeta, Iva Tiço, Olti Curri, Estela Ujka, Aulona Musta, Fatma Haxhialiu, Fjodora Fjora, Blerina Bombaj, Ilda Bejleri, Odeta Banushi, Marçela Lati, Endrit Mërtiri, motrat Marina e Luana Vjollca, Alketa Vejsiu, Rudina Dembacaj, Megi Pojani, etj. /tvklan.al