Me vetëm 28 vota diferencë, kandidati i Partisë Demokratike, Isa Sakja ka fituar garën për kryetar të Bashkisë së Kavajës.

Një garë e ngushtë me kandidatin e Partisë Socialiste, Dorian Murati, fituesi i së cilës u përcaktua në 5 kutitë e fundit.

Të dy kandidatët qëndruan deri në fund të numërimit të votave dhe mes tyre pati edhe një përqafim.

Kryebashkiaku i ri nuk ka lënë pa falenderuar të gjithë ata që i besuan drejtimin e kësaj bashkie.

Në një postim në rrjetet sociale, Sakja shkruajti:

“Faleminderit të dashur bashkëqytetarë! Faleminderit që qëndruat, luftuat dhe më besuat! Ju jam pafundësisht mirenjohës për gjithë angazhimin tuaj në këtë fushatë qytetare që zhvilluam së bashku për një Kavajë për qytetarët e saj, për një Bashki në shërbim të qytetarëve, pa i ndarë ata në të djathtë e të majtë. Mirënjohje!”

Kandidati i Partisë Demokratike, Isa Sakja mori 11155 vota, ai i Partisë Socialiste 11127 vota, ndërsa Maksim Kona i Lëvizjes Socialiste për Integrim mori 1960 vota. Në total, votat e pavlefshme ishin 698.

Votimet për Kryebashkiakun e Kavajës u zhvilluan të dielën. Kryetari i sapo zgjedhur do ta mbajë këtë detyrë për 2 vitet e ardhshme. Zgjedhjet për këtë bashki erdhën pas shkarkimit nga detyra të Elvis Rroshit, për shkak të Ligjit të Dekriminalizimit./tvklan.al