Godina e njohur si ish-7 katëshi në “Bulevardin Zogu I” parë po rindërtohet nga e para. Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve tha se gjatë procesit të rindërtimit godina do të ruajë disa elementë identifikues që arkitekti Maks Velo i kishte përdorur në ndërtesën e vjetër.

“Jam vërtet entuziast për punën që ka bërë skuadra këtu. I vlerësoj jashtë mase, jo vetëm stafin shqiptar, por edhe stafin që vjen nga India. Ka aq shumë kantiere në Tiranë saqë nuk përballohet dot më forcën punëtore të Tiranës dhe gjithmonë e më shumë do të shohim stafe të huaja. Jo është një zyrë e re, e cila njihej më përpara si ‘pallati i Maks Velos’. Ende s’ka përfunduar, ne po i bëjmë me porosi pllakat që stilizonin dy katet e para të pallatit, ashtu siç i kishte bërë Maksi”.

Teksa u ndal tek shtesa e godinës me dy kate, Veliaj ripërsëriti vendimin se pensionistët do të udhëtojnë falas në transport publik duke filluar nga 1 janari i vitit tjetër.

“Do të kthejmë në identitet edhe këtë vepër, e cila ka edhe dy kate shtese, ku do të vendoset drejtoria jonë e Transportit. Ne po bëjmë edhe verifikimin në kohë reale të autobusëve, edhe mënyrën se si do të bëjmë subvencionimin e abonesë për studentët dhe pensionistët. Jemi duke bashkëpunuar me Institutin e Sigurimeve Shoqërore që, për linjat urbane, nga 1 janari, të mbajmë fjalën e dhënë për të lehtësuar, përveç studentëve, edhe pensionistët”.

Veliaj tha se po shihet mundësia e transferimit të institucioneve të tjera në këtë godinë.

Tv Klan