Ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal, është dënuar me 4 vite e 2 muaj burg, për ndihmën që i dha oligarkut rus, Oleg Deripaska, i cili kërkoi të hiqej nga lista e sanksioneve amerikane. Pasi të kryejë dënimin, ai do të duhet të qëndrojë për 3 vite në liri me kusht dhe do të shlyejë një gjobë prej 40 mijë dollarësh.

Prokurorët kishin kërkuar 5 vjet burg për çështjen e New York-ut, ndërsa avokatët e McGonigal këmbëngulën që ai mos të kalojë kohë pas hekurave. Para se të jepej dënimi, McGonigal shprehu pendesë për veprimet e tij.

Kam kryer një krim dhe si ish-agjent special i FBI-së më shkakton dhimbje emocionale dhe fizike. Unë qëndroj para jush sot me një ndjenjë të thellë pendimi” – u shpreh 55-vjeçari.  

Sipas BBC, ish-agjentit të FBI-së, i është urdhëruar të dorëzohet tek autoritetet më 26 Shkurt 2024.

McGonigal shërbeu si agjent special, në krye të Devizionit të Kundërzbulimit (Counterintelligence Division) të FBI-së, në New York. Në këtë pozicion, ai mbikëqyri dhe mori pjesë në hetimet e oligarkëve rus, duke përfshirë edhe Deripaska-n, të cilit i ofronte shërbime të palejueshme.

McGonigal e dinte mirë se Deripaska ishte sanksionuar. McGonigal gjithashtu nuk mund të pretendojë se ai nuk ishte në dijeni që po ia shiste shërbimet e tij një personi të poshtër që punonte kundër interesave të Amerikës” – thanë prokurorët, të cilët e cilësuan këtë akt si një krim të rëndë, që meriton një dënim të rëndë.

McGonigal akuzohet gjithashtu edhe për një çështje që lidhet me Shqipërinë. Ai ka mbajtur të fshehtë një pagesë prej 250 mijë dollarësh, që i është bërë nga një zyrtar i inteligjencës shqiptare gjatë kohës që punonte si agjent i FBI-së. Për këtë, atij i duhet të përballet sërish me gjykatën në fillim të vitit të ardhshëm, në Washington. /tvklan.al