Përplasjet mes grupeve kriminale në Elbasan kanë shkaktuar ngjarje të rëndë kriminale të paktën gjatë viteve të fundit në periudhën 2016-2020.

Ish zv/drejtori i Policisë së Elbasanit Shkëlqim Pepkolaj ka folur për emisionin “Uniko” në Klan Plus duke rrëfyer cilat janë tipologjitë e këtyre dy grupeve, të identifikuara si Çelaj dhe Çapja.

Shkëlqim Pepkolaj: Tipologjia e kriminaliteti në Elbasan është pak a shumë e njëjtë edhe me atë të qarqeve të tjera të mëdha të vendit, ku janë përqëndruar veprimtaritë ekonomike, prodhuese. Për nga ashpërsia dhe mënyra e ballafaqimit shkon edhe më tej. Heq një paralele me Italinë e viteve ’80. Në vitin 2015 kur unë drejtoja strukturat e hetimit sapo kishin filluar të realizoheshin konfliktet midis dy grupeve kriminale në qytetin e Elbasanit. Njëri nga këto grupe ishte relativisht i tërhequr, dhe një grup tjetër i cili sapo ishte fuqizuar dhe formësuar i cili synonte të merrte rolin dominues, kontrollin e territorit e kështu të ishte influent  dhe të diktonte rregullat dhe autoritetin e tij duke synuar të ishte i padiskutueshëm në këtë iniciativë. Bëhet fjalë për këto dy grupe të cilat kanë prodhuar edhe ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura në këto vitet e fundit, ato të cilat janë të njohura për mbarë publikun shqiptar, grupe të quajtura grupi i Çapjave dhe grupi i Çelajve. Vetëm se grupi kriminal i cili është më aktiv në qarkun e Elbasanit po merr tiparet e një organizate kriminale, e cila në vite ka patur një suport politik, ka në dispozicion asete të fuqishme ekonomike, të cilat e mbajnë të lidhur ngushtë atë me veprimtarinë e këtij grupi edhe me politikën. Vatër e konfliktit mes këtyre grupeve kriminale e përbëjnë përpjekjet për të dominuar tregun e narkotikëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, në vendet e Europës deri në Britaninë e Madhe. Këto dy grupe kriminale, dhe flas grupi i dytë Çelaj, janë fokusuar tek një linjë tjetër e fuqishme biznesi kriminal, siç janë edhe vrasjet me pagesë.

Spartak Koka: Keni prova për këto që thoni z.Pepkolaj apo jemi në kuadër të dyshimeve?

Shkëlqim Pepkolaj: Unë flas në kuadrin e të dhënave që kam patur si zv/drejtor i hetimit në këtë qark. Ngjarje të tjera kriminale, sikurse është ajo Shkodrës, autorët kapen në kompleksin Agro-Ushqimor të Elbasanit, pra autorët e dyshuar.

Spartak Koka: Çfarë informacioni keni patur ju për grupin Çapja në kohën që ju keni qenë zv/drejtor i krimeve të rënda në Elbasan?

Shkëlqim Pepkolaj: Informacionet policore kanë qenë për implikim të tyre në mjaft ngjarje kriminale, përfshi këtu edhe ngjarjen që ka të bëjë me vrasjen e ish-oficerit të policisë Mema, por edhe mjaft ngjarje të tjera kriminale të pazbardhura në qarkun e Elbasanit. /klanplus