Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se ia ka dhënë një zyrtareje europiane që ka punuar në Tiranë dhe familjarëve të tij tenderin për kontrollin e faturimit të bizneseve.

Kreu i demokratëve nuk përmendi emra, por dha referenca që përkojnë me ish-ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, e cila është vënë disa hërë nën akuzë nga eksponentë të opozitës.

Por ky nuk ishte i vetmi skandal i qeverisë sipas kreut të opozitës që pritet të bëhet publik ditët në vijim.

Më herët nga mbledhja e grupit parlamentar deputetët e tij, Basha i njoftoi për një tjetër dosje hetimore që pritet të zbardhë krimin elektoral të Partisë Socialiste.

Surpriza paralajmëroi edhe për dosjen 339, në të cilën ai thotë se ka prova që implikojnë në afera elektorale krahas Kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako  edhe funksianarë të tjerë të lartë të Partisë Socialiste.

Të njëjtin fat paralajmëroi për dy ish ministrat e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Saimir Tahiri.

Në kushtet kur pastrimi i politikës nga krimi dhe dekriminalizimi i zgjedhjeve janë një kusht i patjetërsueshëm i opozitës, Partia Demokratike refuzon të bëhet pjesë e çdo procesi politik dhe institucional, qoftë ky edhe për plotësimin e vakancave për anëtarë në KQZ, ndonëse socialistët i kanë tashmë gati dy propozimet e tyre.

I pyetur në lidhje me ngjarjen e Bularatit ku mbeti i vrarë  Kostandin Kaçifas, Lulzim Basha e cilësoi atë kriminale, por dënoi përpjekjet sipas tij të kryeministrit për ta politizuar atë.

Ai nuk i kurseu akuzat në adresë të kryeministrit edhe për braktisjen sipas tij që Kryeministri i ka bërë banorëve në zonat e përmbytura në Durrës e Vlorë.

Tv Klan