Engjëllushi nga Tirana është baba i dy djemve të vegjël. Prej një viti është divorcuar nga gruaja e që nga ajo kohë nuk mundet të shohë fëmijët e tij. Me vendim gjykate, ai ka takime të përcaktuara për fëmijët, por ish-bashkëshortja nuk e lejon këtë.

As dhuratat e Vitit të Ri, Engjëllushi nuk ka mundur t’ua japë djemve.

“Unë jam i divorcuar, kam rreth 1 vit që nuk takoj fëmijët e mi, sepse nuk më lejojnë që t’i takoj. As dy të shtunë-të diela, as një herë në muaj, as një herë në vit nuk po më lenë që t’i takoj”.

Gjykata, përveçse vendos pjesën e takimeve, vendos edhe një pension ushqimor, që në këtë rast i vendoset babait ta paguajë. Engjëllushi tregon se ky pension është 160 mijë lekë në muaj, për të dy fëmijët.

“Për momentin jam pa punë, pa shtëpi, nuk kam asnjë të ardhur. Pagesën kam filluar ta bëj në 2018-n, në Dhjetor, që e kam pagesën me bankë. Sepse i kam bërë pagesat e tjera, por ata m’i kanë mohuar, sikur nuk kam bërë pagesë. Por unë kam edhe disa mesazhe që tregojnë që e kam bërë pagesën. Tani kam filluar me bankë, sepse ato që kam paguar m’i kanë hedhur poshtë të gjitha”.

Më tej Ëngjëllushi rrëfen se ish-bashkëshortja i kërkon një prokurë për të ikur jashtë vendit. Ai thotë se nuk është dakord dhe nuk ka për t’ia dhënë asnjëherë këtë firmë.

“Unë jam vetëm 5 minuta larg dhe nuk po më lenë që t’i takoj, e jo që të ikin jashtë shtetit, që nuk kam ku t’i takoj më. Unë kam 2 çuna, 7 dhe 8 vjeç. I kam blerë edhe dhurata për fundvitin, që nuk më lejojnë t’ua jap”.

Ëngjëllushi kërkon vetëm takimin me fëmijët e tij, ashtu siç ka vendosur gjykata.

Gazetarja e Stop iu drejtua Zyrës Përmbarimore Tiranë, ku duket se as përmbaruesja Evisa Tole nuk ka mundur ta zgjidhë këtë situatë.

Përmbaruesja: Unë kam bërë, domethënë komplet procedurën. Tani po pres që të më kthejë përgjigje, nëse s’ashtu, do ta marr në telefon edhe do vendosim, nëse do takohet apo jo.

Përmbaruesja: Unë s’mund ta detyroj dot palën, që të vijë me detyrim, thjesht kam për detyrim të bëj procedurën.

Gazetarja: Kam pikëpyetje për këtë pjesën, që nuk e detyroj dot palën? Është një vendim gjykate që shprehet që fëmijët do t’i takojë dy herë në muaj…

Përmbaruesja: E detyroj palën, por që fëmijën nuk e marr dot me detyrim.

Gazetarja: Nëpërmjet psikologut dhe forcave…

Përmbaruesja: Nëse pala nuk pranon të sjellë fëmijën unë, më ekstremi është që do të marr komisariatin. Unë kam për detyrë të thërras komisariatin, të vete te personi në fjalë dhe të merret fëmija domethënë.

Gazetarja e Stop i kujton Zyrën Përmbarimore të Tiranës, se në rast të mungesës së takimit vullnetar, ekziston ekzekutimi në mënyrë të detyrueshme.

“Çka i takon Zyrës Përmbarimore të Tiranës, përmbarueses që është në këtë rast, Evisa Tole, që të sigurojë takimin e fëmijëve me babain, nëpërmjet forcave të policisë dhe psikologes ndoshta. Por mesa duket, ajo ka hequr dorë dhe për këtë arsye emisioni Stop do t’i tregojë rrugën sesi duhet të procedojë në këto raste, në mënyrë që Ëngjëllushi të takojë fëmijët e tij dhe në mënyrë që të zbatohet vendimi i gjykatës, sa i përket objektit ‘takim fëmije’.”

Ndërkohë, psikologia Aurela Agalliu tregon për dëmet psikologjike që kanë fëmijët, të cilëve u mungon një nga figurat prindërore.

“Në rastin kur ndodh divorci, gjithmonë interesi më i lartë mbetet fëmija. Dhe ku flasim për interesin më të lartë të fëmijës, flasim për një detyrë që kanë të dy prindërit, të drejta dhe detyrime në ushtrimin në prindërimit. Roli dhe detyra e tyre vazhdon tek fëmijët, me qëllim mbarëvajtjen edukative dhe jetësore. Nëse ne do të flasim për mungesën e figurës atërore, apo edhe të nënës në të njëjtën kohë, tek fëmijët, natyrisht do të flasim për një problem që do t’i pasojë ata në pjesën e anës emocionale dhe plotësimit”,

shpjegon psikologia Aurela Agalliu.

Çfarë ndodh konkretisht në kontekstin shqiptar?

“Fëmijët vendosen në një arenë luftash midis të rriturve dhe kjo nuk ndikon aspak mirë në zhvillimin jetësor të tyre, por edhe në zhvillimin psikologjik. Duke u vendosur në arenë luftash, ata më pas kthehen në mjete që përdoren për inatet personale midis të rriturve”,

shton më tej Agalliu

./tvklan.al