Ish-shefi i kompanisë së automjeteve Nissan është liruar me kusht nga një gjykatë në Tokio. Gjykata vendosi lirimin me kusht kundrejt garancisë pasurore prej 8.9 milionë Dollarë.

Carlos Ghosn akuzohet për mashtrim financiar, por ish-shefi i Nissan vazhdimisht mohon përfshirjen në këto akuza. Prokurorët në Tokio pritet që të apelojnë vendimin e gjykatës për lirimin me kusht të Carlos Ghosn. Edhe pse është lënë i lirë kundrejt garancisë pasurore, gjykata përcakton se Ghosn nuk duhet të largohet nga Japonia dhe duhet të mbikëqyret me kamera. 64-vjeçari ka qëndruar në paraburgim që prej Nëntorit të vitit 2018.

Kur shpërtheu skandali, Carlos Ghosn u hoq nga drejtimi  i kompanisë Nissan. Ai është një personazh i njohur në industrinë e automjeteve. Ghosn ka qenë arkitekt i aleancës mes Renault dhe Nissan. Në vitin 2016 ai afroi edhe Mitsubishin në këtë aleancë. Pasi u arrestua, Nissan dhe Mitsubishi larguan Carlos Ghosn si kryetar të bordit të këtyre kompanive. Ndërsa Renault nuk e largoi nga drejtimi i bordit, por 64-vjeçari dha dorëheqjen në Janar të këtij viti.

/tvklan.al