Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka përfunduar i pandehur në Gjykatën e Tiranës për dosjen “Babalja”. Mbi të, prokuroria ka ngritur akuzën e kallëzimit të rremë, e cila i është komunikuar këtë të premte. Salianji ka qëndruar rreth 30 minuta në zyrën e prokurorit Genci Qano dhe në dalje e cilësoi vendimin si politik.

“Akuzohem për agjitacion në bashkëpunim me gazetarin Jetmir Olldashi. Frika nuk është një nga ndjesitë e mia”.

Të pandehur për të njëjtën histori dhe për të njëjtën akuzë përfunduan edhe gazetari Jetmir Olladashi, Fredi Alizoti dhe Albert Veliu, i njohur ndryshe si “Babalja”. Veliu ka kërkuar azil politik në Hungari aty ku u ndalua pas arratisjes nga Kosova. Sipas Prokurorisë, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar prova të rreme në mënyrë që të implikonin vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës.

Fredi Alizoti pranoi para prokurorisë se kishte bërë ai rolin e Agron Xhafajt në audio-përgjimin e bërë publik nga Partia Demokratike. Por në një video tjetër të bërë publike nga Salianji, ai deklaronte se ishte shantazhuar nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, për dhënë atë dëshmi. Megjithatë gjatë marrjes në pyetje ai i qëndroi versionit të parë.

Tv Klan