Ish-drejtori që përfundoi në burg: Qeveri hajdute që shfrytëzoi popullin deri në pikën e fundit (Emisioni 17 – Sezoni 3)

Ish-drejtori që përfundoi në burg: Qeveri hajdute që shfrytëzoi popullin deri në pikën e fundit (Emisioni 17 – Sezoni 3)

Autori: Pandi Laço

12:00 20/03/2011

Histori me zhurmues – Sabri Cevani ishte një nga personat që bëri karrierë në komunizëm. Por kjo karrierë nuk pati një fund të mirë pasi ai përfundoi në burg.

Ish-drejtori Cevani ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço ku tregoi se si nga posti i drejtorit përfundoi në burg dhe për këtë arsye bashkëshortja e tij mbeti invalide.

“Unë jam nga fshati Derjan i Rrethit Mat. Kam ardhur në fermën e Kamzës në vitin 1946. Kam qenë vetëm 16 vjeç. Ditët e para më caktuan të pres ferrat dhe m’u bënë duart mish. Ne ishim të varfër dhe unë duhet të punoja për të mbajtur gjithë familjen. Rastisi që Kristofor Harito dhe Kostandin Rama erdhën të shihnin punimet dhe më ndihmuan shumë, këto specialistë u bënë pedagogët e mi.

Filluan të më ngrenë në detyrë dhe më rekrutuan në parti. Dhe më ngritën në detyrë dhe më bënë sekretar dhe kryetar të degës në mekanikën bujqësore në Kamëz. Pas 5 vitesh punë, në 1951 me emëruan drejtor të SMT në Kavajë, ku kam punuar për 11 vjet.  Në korrik të 61 vjen shoku Enver dhe disa të tjerë për të zënë peshk sepse në tavat e kripës kultivohej peshku. Atë ditë më emërojnë drejtor të mekanikës në Durrës. Më vonë më çuan në Lekaj të Kavajës si kryetar koperative. Koperativa u bë model në gjithë Shqipërinë dhe aty vinin të rinj nga i gjithë vendi për të marrë përvojën tonë, por lindi një problem tjetër.

Duhej të paguheshin të gjitha drekat dhe darkat, por unë nuk mund të paguaja nga xhepi im. Dhe kur deshën të më fusnin në burg këto u quajtën shkelje dhe abuzime. Kur më arrestuan më thanë “në emër të popullit, jeni i arrestuar”. Më shkatërruan familjen dhe më shkatërruan mua. Gruaja ime pësoi shok dhe sot e kësaj dite është invalide, e kapi depresioni sepse në qiell të kthjellët më futën brenda. Një qeveri hajdute dhe një pushtet hajdut që e kishte shfrytëzuar fshatarësinë deri në pikën e fundit thoshte kapni hajdutin”, tha Cevani.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Autori: Pandi Laço

12:00 20/03/2011
Grupi