Shkëlqim Pepkolaj ka mbajtur postin e zv-drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit, por dhe detyra të tjera të rëndësishme në Policinë e Shtetit. Prej 2 vitesh ai është larguar nga struktura policore dhe ndodhet jashtë Shqipërisë, në një shtet tjetër.

Në një lidhje me Skype për emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, Shkëlqim Pepkolaj ka folur për grupet kriminale të Elbasanit kur ai ishte në këtë detyrë. Ndër të tjera ai ka rrëfyer edhe presionin me të cilin u përball kur arrestoi për armëmbajtje pa leje Sokol Sanxhaktarin.

Pas kësaj situate, Pepkolaj ka pasur edhe një përplasje në Policinë e Kukësit, që më pas u detyrua të largohej nga Shqipëria. Për të gjitha këto, ai thotë se zgjodhi të largohej nga vendi dhe jo të përballej, duke u shprehur se “do të ishte viktima e radhës” pasi familja e tij ishte kërcënuar.

Spartak Koka: Ju sot jeni jashtë Shqipërisë, nuk jeni më pjesë e strukturave të policisë?

Shkëlqim Pepkolaj: Jo, ka 2 vite që unë jam larguar nga shërbimi policor dhe gjendem jashtë Shqipërisë.

Spartak Koka: Mos gaboj për përplasje, për një situatë të krijuar në qytetin e Kukësit?

Shkëlqim Pepkolaj: Kjo është një sagë e tërë. Ka të bëjë me lidhjet e shërbimit policor dhe më gjerë, linjës politike që drejton shtetin shqiptar me grupet kriminale. Në një rast të tillë unë u gjenda në përplasje të fortë me një nga drejtuesit e shërbimit policor për të çuar duke i shërbyer me besnikëri zbatimit koherent të ligjit.

Spartak Koka: Përse nuk zgjodhët të përballeshit në Shqipëri?

Shkëlqim Pepkolaj: Unë nuk zgjodha të përballesha në Shqipëri sepse i binte që unë të isha viktima e radhës në Shqipëri. Viktima e radhës normalisht mund të ishin edhe pjesëtarët e tjerë të familjes time, sepse u kërcënuam hapur nga persona dhe individë të cilët ishin në shërbim të drejtuesve të policisë, pra ishin lidhje të drejtuesve të policisë, dhe kërcënuan hapur familjen time në vendin e punës, kërcënuan edhe ish zv/drejtorin e policisë i cili në atë moment gjendej në lirim sepse mua më hoqën të gjitha atributet dhe më hodhën në rrugë. /klanplus