Jeremy Clarkson, ish-drejtuesi i emisionit për makinat “Top Gear”, është shtruar me urgjencë në një spital në Majorca të Spanjës, ku po kalon pushimet me familjen.

Sipas mediave, 57-vjeçari është diagnostikuar me pneumoni të rëndë. Vet ai ka publikuar në Instagram një foto të serumit që po i injektohet gjatë trajtimit mjekësor.

Jeremy Clarkson po kalonte pushimet verore me familjen kur u sëmur. Ai kishte planifikuar të kthehej në punë pas pushimeve, por mesa duket do të duhet t’i shtyjë edhe për disa ditë angazhimet profesionale në emisionin “The Grand Tour”. Megjithatë, sipas “Daily Mail” 57-vjeçari po e merr veten dhe është në gjendje më të mirë shëndetësore.

Edhe një zëdhënëse e “The Grand Tour” konfirmoi se Clarkson është me pneumoni. Por kjo nuk është frika më e madhe e 57-vjeçarit. Në vitin 2015, një mjek i kishte thënë atij se mund të kishte kancer. Këtë lajm ai e mori në të njëjtën periudhë kur u njoftua se është shkarkuar nga BBC ku prezantonte emisionin e tij “Top Gear”. Në atë kohë, ai tha se kjo ishte periudha më stresuese e jetës së tij, dhe për të “Top Gear” renditej në plan të parë. Në kushte të tilla, ai neglizhoi shëndetin dhe kurrë nuk bëri analiza nëse është prekur nga kanceri.

/tvklan.al