Ish i burgosuri i Koresë së Veriut: Kam qenë spiun i CIA-s

Ish i burgosuri i Koresë së Veriut: Kam qenë spiun i CIA-s

17:40 07/09/2019

Një ish i burgosur në Korenë e Veriut ka deklaruar për mediat gjermane se ka qenë spiun i CIA-s dhe përpiqej të zbulonte informacione sekrete për armët bërthamore të shtetit komunist.

Në një rrëfim për transmetuesin publik gjerman NDR, 67-vjeçari Kim Dong-chul tregon operacionet e tij të fshehta të spiunazhit, arrestimin dhe torturat që përjetoi prapa hekurave. Ai thotë se gishtat e dorës ju thyen nga goditjet e ushtarëve koreano-veriorë gjatë marrjes në pyetje.

Kim Dong-chul me origjinë nga Korea e Jugut dhe shtetas amerikan, u arrestua në Tetor të vitit 2015 pasi iu gjet një kamera sekrete, brenda së cilës kishte informacione dhe foto për armë bërthamore.

67-vjeçari ka rrëfyer se informacionet i mori nga disa oficerë dhe shkencëtarë bërthamorë, për të cilët e dinte se kishin nevojë për para dhe i joshi. Në Prill të vitit 2016 ai u dënua me 10 vite burgim, por u lirua në Maj 2018.

Kim Dong-chul ishte një nga tre amerikanët e liruar nga Koreja e Veriut, pas samitit të parë mes Presidentit Donald Trump dhe liderit koreano-verior Kim Jong Un.

Sipas rrëfimit të tij, 67-vjeçari u rekrutua nga një agjent i CIA-s në Korenë e Jugut në vitin 2011, pas vdekjes së ish-udhëheqësit të Koresë Veriut, Kim Jong II. Ai thotë se kishte fotografuar anije për të cilat CIA kishte vetëm imazhe të paqarta satelitore.

Kim Dong-chul ishte pajisur me të gjitha mjetet e duhura për të mbledhur informacionet sekrete. Kishte një orë dore me të cilën fotografonte dhe një pajisje përgjimi që e vendoste në vesh.

Rrëfimi i tij i plotë për median gjermane do të transmetohet ditën e dielë. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
UKT