Një kanal në zonën e ish-Kënetës në Durrës është kthyer në ferr për banorët. Qytetarët thonë, se jo vetëm u është bërë jetesa e pamundur, por edhe fëmijët, që kanë në emigracion, nuk po u vijnë për këtë shkak.

 

Emisioni “Stop” ka ndjekur nga afër situatën e rëndë tek zona e ish-Kënetës. Banorët u kërkojnë institucioneve dhe kryebashkiakut Vangjush Dako, të zgjidhë problemin e tyre.

 

Banori 1: Ne nuk jetojmë dot këtu, sepse era, mushkonjat, papastërtia, plehrat, sëmundjet. Ne kërkojmë mbylljen e kanalit, sistemin e ujërave të zeza, eleminimi i të gjitha papastërtive.

Banori 2: Fëmijët po marrin lloj lloj sëmundjesh, se ne pleqtë e kemi marrë rrugën.

Banori 3: Nuk del dot. Ose dhe një mik që vjen nga një rreth tjetër, thotë juve ju ka sjellë Enver Hoxha me zor apo keni ardhur vet, prandaj u bëj thirrje qeverisë edhe juve. 

Banori 4: O Vangjush kemi fëmijë, po bëhemi gjysha, po bëhemi me nipa dhe me mbesa. Mua kalamjtë e mi këtë vetë nuk më erdhën në Durrës prej këtij kanali. Më more në qafë o burrë… Ne flasim Shqipëria për turizëm, çfarë turizmi në Shqipëri, kalamajtë e mi s’duan të vijnë në Shqipëri. Janë durrsakë, ki kujdes, janë durrsakë, kanë marrë qytetërim italian, por janë durrsakë. Fëmijët mua më thanë nuk vijmë në Durrës se është kanali aty.

Sikur të mos mjaftonte vetëm problemi i kanalit me ujërat e zeza, zona e ish-Kënetës është kther edhe në një vendgrumbullim plehrash. Firma nënkontraktore e cila merret me pastrimin e plehrave, mesa duket nuk ka ofruar shërbimin e saj në zonën e ish-kënetës.

Banori: Ne paguajmë taksë pastrimi, taksë gjelbërimi, taksë e ujërave të zeza, të gjitha taksat e paguajmë.

Gerald Dautaj, kryeinxinier në UKT, sheh si zgjidhje mos hedhjen e ujrave të zeza nga ana e banorëve.

Gerald Dautaj (kryeinxhinieri i UKD): Ky kanal është një kanal që shërben për mbledhjen e ujërave të larta, konkretisht ujërave të shiut dhe derdhjen e tyre në kanalet e tjera, të cilat me anë të hidrovorit i përcjellin në det.

Nuk është një kanal për shkarkimin e ujërave të zeza. Shumë qytetarë në mënyrë abuzive kanë bërë lidhjet në këtë kanalizim për thjeshtësi. Në mënyrë që këtu të mos derdhen ujërat e zeza, çdo banor që ka shkaktuar ujërat e zeza në kanal, duhet të ndërpresi menjëherë shkarkimet e tyre në mënyrë që të kemi një ambient sa më të pastër mjedisor.  Kjo është zgjidhja më e shpejtë nga ana ekonomike dhe më e shpejta nga ana mjedisore.

Ndërsa Fiqiri Borici, përgjegjës i sektorit të kullim-vaditjes, premton ta zgjidhë situatën në 15 shtator. Nuk dihet sa duhet pritur akoma. 

Fiqiri Boriçi (përgjegjësi i sektorit të kullimit dhe vaditjes): Ne do të marrim masat tona që këtë kanal siç kemi pastruar të gjithë kanalet e tjera, edhe për këtë ne do të marrim masa, do koordinojmë edhe me ndërmarrjen e ujësjellësit për ujërat e zeza që të paktën nga 15 shtatori e mbrapa të marrim masa ta pastrojmë këtë kanal.

/tvklan.al