Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Nga Peqini drejt e në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Ish-kryepolici i Elbasanit Edmond Koseni, ka lënë në mëngjes shtëpinë e tij, ku pas një telefonate me drejtorin e përgjithshëm të policisë Bilbil Mema, ka pranuar të vijë vullnetarisht në Tiranë. I hipur në një furgon policie, i shoqëruar nga të afërmit e tij dhe ish-bashkëpunëtor të ngushtë, Koseni ka ngjitur qetësisht shkallët e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Për rreth dy orë Koseni është pyetur nga prokurori Shkëlqim Gani, në zyrën e kryepolicit të Tiranës Zylyftari. Aty i është lexuar akuza e ngritur nga prokuroria, ushtrim dhune dhe torturë në bashkëpunim. Ashtu si dhe në intervistën e djeshme kur në TV Klan, Koseni nuk e ka pranuar akuzën, duke thënë, se nuk ka qenë fare në vendngjarje, kur është ushtruar dhunë ndaj taksistit.

Edmond Koseni:- “Ky është edhe problemi im, pse kam bërë detyrën, se çfarë torture, tortura do shumë kushte të bëhet dhe kur është e qëllimshme. Unë nuk kam pas ndonjë qëllim me të, qëllimi im është të mbaj rendin dhe qetësinë publike”.

Megjithatë, prokurori Gani e ka njohur Kosenin me vendimin e gjykatës së Tiranës, që e izolon atë në burg pa afat, deri në hapjen e procesit gjyqësor. Koseni mësohet të jetë shprehur kundër këtij vendimi. Pas kësaj, të parët që kanë dalë nga drejtoria kanë qenë Mema dhe zëvendësi i tij Brahimaj, më pas prokurorët dhe të fundit dyshja drejtuese e policisë së Tiranës Zylyftari e Bizhga.

Kosenit i është liruar një nga qelitë e paraburgimit në katin e parë të drejtorisë. Ish-bodigardi i tij dhe të afërm të tjerë kanë pritur jashtë rrethimit të drejtorisë së policisë së Tiranës dhe vetëm pasi kanë mësuar se ish-drejtori i hekurt Koseni është mbyllur në qelinë e paraburgimit, janë larguar të fundit drejt Elbasanit./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj