Mediat malazeze: Ishte i përfshirë në trafik marijuane

Marrin një tjetër rrjedhë hetimet për zhdukjen e kreut të Antidrogës për Ulqinin dhe Tivarin, Rudolf Elezoviç. Mediat malazeze hedhin dyshime se ai mund të jetë arratisur për shkak të një hetimi që kishte nisur pak kohë më parë për një rast të trafikut të marijuanës.

Gazeta “Novosti” shkruan se në 27 Maj, Elezoviç u nis drejt Shkodrës me një mjet lundrues nëpërmjet Bunës duke shmangur kalimin në rrugë zyrtare. Sipas të njëjtave burime, 54-vjeçari ishte nën hetim si pjesë e operacionit “Kurthi” ku u sekuestruan 2.5 tonë marijuanë që kaloi nga Shqipëria drejt Malit të Zi dhe që u vunë në pranga 24 persona.

Sipas deklarimeve të disa prej të arrestuarve, Elezoviç dhe disa kolegë të tij kanë bërë lëshime kundrejt parave duke lejuar trafikun e sasive të mëdha të drogës.

Në krahun tjetër ata kanë kryer operacione duke sekuestruar sasi të vogla droge për t’u dukur të suksesshëm në luftën kundër trafikut. Të dhënat janë marrë nga persona që tashmë kanë marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

“Novosti” shkruan se Elezoviç mund të ketë marrë informacion se do të arrestohet ndaj është larguar në mënyrë të paligjshme nga vendi. Rudolf Elezoviç ka mbajtur në të kaluarën edhe detyrën e drejtorit të Policisë së Ulqinit.

Tv Klan