Ish-Kryeministri Sali Berisha ka dënuar thirrjet anti-shqiptare që u bënë sot nga ekstremistë grekë në fshatin Bularat gjatë funeralit të minoritarit Kostandino Kaçifas.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha thotë territori i Republikës së Shqipërisë është përdhosur nga racistë dhe fanatikë që kanë qëllime antishqiptare.

Ish-Kryeministri shqiptar ka dënuar këtë ngjarje dhe thotë se qeveritë e të dyja vendeve nuk duhet të heshtin.

“Të dashur miq, sot grupe ekstremistësh grekë, racistë primitiv antishqiptarë përdhosën territorin e Republikës së Shqipërisë. Ata varrosën me parrulla luftënxitëse, raciste, antishqiptare, vorioepiriote ekstremistin Kaçifas, i cili u vra në një përpjekje të armatosur me policinë shqiptare.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin primitiv të shfrytëzimit të një procesioni mortor nga ekstremistë, fanatikë për qëllime raciste dhe antishqiptare.

Dënoj heshtjen para këtij akti përdhosës të territorit shqiptar të autoriteteve zyrtare të Athinës dhe Tiranës, të cilat me qëndrimet e tyre të papërgjegjshme dhe histerike nxitën këtë akt të shëmtuar, ndërkombëtarisht të dënueshëm dhe që sot heshtin për turpin e tyre”,

shkruan ish-Kryeministri Sali Berisha.

/tvklan.al