Ish-Kryeministri Sali Berisha ka dënuar vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për rritjen e çmimit të ujit me 20 lekë për metër/kub.

Në një status në Facebook, Berisha e quan akt të papërgjegjshëm rritjen e çmimit që do të rëndojë xhepat e qytetarëve.

Në kushte të tilla, thotë ish-Kryeministri Berisha, qytetarët do të kufizojnë së tepërmi përdorimin e ujit duke rrezikuar përhapje të sëmundjeve infektive.

Statusi në Facebook i ish-Kryeministrit Sali Berisha:

Rritja e madhe, deri në dyfishim, e çmimit të ujit, një akt i papërgjegjshëm në kufijtë e një krimi!

Edi Rama dhe Lal Plehu arritën me blerje dhe manipulime të dyfishojne tarifat bazë dhe të rrisin ndjeshëm çmimin e metër kubit të ujit për familjarët, rritje dhe më të mëdha u parashikuan për bizneset.

Ky është një akt i papërgjegjshëm dhe, për pasojat e tij, edhe kriminal.

Me këto çmime, dhjetra mijëra familje do mendojnë mirë para se të bejnë dushe apo të lajnë mjedisin ku jetojnë, duke u bërë kështu objekt sëmundjesh infektive dhe të tjera nga më të ndryshmet.

Të bësh një veprim të tillë kur Shqipëria është një ndër vendet më të pasura me ujëra në Europë, dhe kur liqeni i Bovillës ka sasi uji shumë më të mëdha se sa nevojat e Tiranës, përsëri bën një akt të papërgjegjshëm.

Vende të pasura në ujë si Austria, garantojnë furnizimin falas me ujë të pijshëm rubineti për mbarë qytetarët e vete. Të tjera vende që e kanë ujin me bollëk apo prodhime të tjera si nafta, ua ofrojnë qytetarëve të tyre me çmime simbolike. Por Edi dhe Lal Plehu duhet t’i vjedhin dhe rrjepin me çdo gjë qytetarët e këtij vendi.

/tvklan.al