Teksa mediat përpiqen të zbulojnë itenerarin e arratisjes së Nikolla Gruevskit në Hungari ky i fundit u shfaq sërish me një postim në rrjetet sociale duke njoftuar se Hungaria  pranoi kërkesën e tij për azili.  Ish-kryeministri i Maqedonisë refuzon të etiketohet si një person që i ka ikur drejtësisë duke thënë se po përndiqet politikisht nga qeveria e vendit të tij.

Nikolla Gruevskit:

Qeveria dëshiron të më privojë nga liria duke shfrytëzuar hapa dhe metoda  jodemokratike dhe duke keqpërdorur sistemin gjyqësor në Maqedoni. Unë nuk kam ikur nga drejtësia, por duke shfrytëzuar metodat ndërkombëtare të së drejtës vazhdoj ta kërkoj drejtësinë për mua dhe për të gjithë viktimat e tjera të ndjekjes politike në Republikën e Maqedonisë.

Mediat në rajon raportuan më herët se ish-kryeministri maqedonas, u ndihmua nga Serbia për t’u arratisur drejt Hungarisë. Por një lajmi tillë u hodh poshtë nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç .

Aleksandar Vuçiç, president i Serbisë:

Më 12 Nëntor, në 5:11 personi në fjalë u largua nga Serbia përmes pikës kufitare të Horgoshit me një lejekalimi me numër 100.501 të lëshuar në Tiranë, me letërnjoftim të rregullt. Personat që e shoqëronin kishin automjet dhe pasaporta diplomatike.

Leja e kalimit që përmend Vuçiç, ndoshta i është lëshuar Gruevskit nga ambasada e Hungarisë në Tiranë. E kontaktuar nga TV Klan, ambasada e Hungarisë në Tiranë nuk pranoi të komentojë nëse e ka pajisur Nikolla Gruevskin me leje kalimi drejt Hungarisë, duke e shpëtuar nga burgu.

Tv Klan