Orë ankthi për qeverinë greke. Ditën e sotme pritet që të votohet në Parlament Marrëveshja e Prespës për emrin e ri të Maqedonisë. Në Athinë po protestohet prej 3 ditësh, ndërsa sot policia ka forcuar masat e sigurisë, duke mbyllur edhe disa rrugë.

Sipas informacioneve nga mediat greke, Kryeministri Tsipras i ka siguruar votat e nevojshme për të miratuar këtë marrëveshje, duke përfshirë ato të disa deputetëve të pavarur dhe disa nga partia e Panos Kamenos, ish-aleati i tij në qeveri.

Për votimin e kësaj marrëveshje ka reaguar edhe ish-Kryeministri grek Kostas Karamanlis, i cili i bën thirrje qeverisë që të dëgjojë zërin e shumicës së qytetarëve. Përmes një letre publike, ai thotë se nxitimi për ta miratuar një marrëveshje të tillë, është i panevojshëm.

“Kritikat e partisë “Demokracia e Re” për këtë marrëveshje janë të forta dhe të argumentuara mirë. Sidomos kur të gjitha negociatat janë bërë në kushte tepër të nxituara dhe të panevojshme. Qeveria duhet të respektojë ndjeshmërinë dhe të dëgjojë shqetësimin legjitim të shumicës dërrmuese të qytetarëve”,

thotë ndër të tjera ish-Kryeministri grek Karamanlis.

Nga ana tjetër, Parlamenti i Maqedonisë e ka miratuar para disa javësh Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit.

/tvklan.al