Presidenti i shkarkuar katalanas Carles Puigdemonti dhe katër anëtarët e kabinetit të tij dalin sot përpara një gjykate belge në një seancë që lidhet me një urdhër arresti evropian të lëshuar nga Spanja.

Gjykata do të dëgjojë argumentet e palëve me dyer të mbyllura, përpara se të vendosë nëse do t’i ekstradojë ish zyrtarët kalanas në Spanjë, ku ata do të përballen me akuzat për rebelim dhe kryengritje për rolin e tyre në drejtimin e procesit për pavarësi.

Madridi lëshoi urdhër-arrestet për zotin Puigdemont dhe katër ish ministrat ndërsa ata ndodheshin në Bruksel. Ata nuk e përfillën thirrjen për t’u paraqitur përpara një gjykate spanjolle.

Autoritetet spanjolle e larguan nga detyra zotin Puigdemont dhe kabinetin e tij prej 13 anëtarësh për shkak se refuzuan të ndalnin planet për shkëputje të Katalonjës.

Dalja përpara gjykatës sot pritet të jetë e para e asaj që ndoshta mund të kthehet në një betejë të gjatë gjyqësore, ky të dyja palët pritet të apelojnë rezultatin.

Sipas ligjit belg, vendimi për një urdhër arresti evropian duhet të merret brenda 60 ditëve.

Kjo do të thotë se zoti Puigdemont dhe bashkëpunëtorët e tij mund të jenë ende në Belgjikë, kur në Katalonjë të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme të 21 dhjetorit të urdhëruara nga Madridi për të “rivendosur normalitetin” në rajonin verior më të pasur të Spanjës.

/VOA