Gruaja e El Chapos drejt shpalljes fajtore

Emma Coronel Aispuro, gruaja e mbretit meksikan të narkotikëve Joaquin “El Chapo” Guzman, pritet të deklarohet fajtore këtë javë për ndihmën në drejtimin e kartelit famëkeq të drogës Sinaloa.

“New York Times”, duke cituar një burim që ka dijeni për çështjen, njoftoi se Coronel do të paraqitej në Gjykatën Federale të Qarkut në Uashington të enjten.

Avokatët e saj mbrojtës nuk do të kërkojnë që ajo të bashkëpunojë me autoritetet amerikane ose të sigurojë informacion në lidhje me aleatët e burrit të saj, partnerët e biznesit ose të afërmit, raporton “Times”.

Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë të SHBA nuk pranoi të komentonte, po ashtu edhe Administrata e Zbatimit të Drogës apo avokatët e Coronel nuk kanë dhënë asnjë koment. Coronel, një ish-mbretëreshë bukurie, u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar Dulles të Uashingtonit në Shkurt. Emma mbahet në izolim, në një qeli të vogël ku sipas avokatit të saj, ajo lexon romane për të kaluar kohën.

Prokurorët e akuzuan atë për arratisjen spektakolare të Guzman përmes një tuneli të gjatë nga burgu i sigurisë së lartë Altiplano në Meksikë në Korrik 2015. Dokumentet pretendojnë se Coronel ka punuar me djemtë e Guzmanit për të organizuar komplotin e arratisjes.

Pas një gjykimi të profilit të lartë nga një gjykatë federale në Brooklyn, New York, Guzman, 63 vjeç, u dënua në shkurt 2019 për organizimin e kartelit më të madh të drogës që arrinte vlerë miliarda dollarë. Ai u dënua me burgim të përjetshëm në burgun federal Supermax në Firence, Kolorado.

Klan News