Reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë do të sjellin pasoja të rënda në ekonomi. Sipas ish-ministrit të Financave Haki Shatri do të ketë rënie të prodhimit si dhe varfërim të popullsisë.

“Mungesa sjell pengesa në zhvillim, dëhtim në realizimin zhvillimit ekonomik të projektuar. Dështimi në zhvillim rrit varfërinë, rrit papunësinë”.

Ai kritikon qeverinë e Albin Kurtit se nuk ka investuar në sektorin energjetik, çka është bërë shkak për krizën.

“Tepër shqetësues fakti që kjo qeveri në pjesnë e investimeve kapitale është i dështuar, është si ta ketë armiku në dorë qeverinë dhe jo njerëzit tanë të zgjedhur. Vitin e  kaluar, 200 milionë kanë dështuar në kategorinë e investimeve kapitale. 32% të investimeve kapitale të kontingjentit për investime kanë dështuar të realizohen. Këtë vit, kjo fatkeqësisht është thelluar”.

Që nga e hëna në të gjithë Kosovën kanë nisur reduktimet e energjisë elektrike ku KDS njoftoi se pas 6 orësh furnizim do të ketë 2 orë ndërprerje. Kjo situatë ka ardhur si pasojë e shtrenjtimit të energjisë dhe autoritetet në Kosovë thonë se nuk kanë mundësi financiare të mjaftueshme për ta blerë atë nga jashtë.

Klan News