Ish-ministri izraelit Gonen Segev do të burgoset për 11 vite pasi ka pranuar që ka spiunuar për Iranin, thotë Ministria e Drejtësisë e Izraelit.

Segev ka shërbyer si ministër i Energjisë së Izraelit në vitet ’90. Dyshohet se ai ishte rekrutuar nga Irani kur punonte si mjek në Nigeri.

Ai u akuzua se kishte nxjerrë informacione të hollësishme rreth zyrtarëve izraelitë dhe vendeve të sigurisë së veçantë. Gonen Segev u arrestua në muajin Maj në Guinenë Ekuatoriale dhe u ekstradua në Izrael. 63-vjeçari do të dënohet zyrtarisht në seancën dëgjimore më 11 Shkurt.

Shërbimi i Brendshëm i Sigurisë së Izraelit tha se në vitin 2012, Segev kishte kontaktuar me zyrtarët e ambasadës iraniane në Nigeri dhe kishte vizituar dy herë Iranin.

Atij i ishte dhënë një sistem i klasifikuar i komunikimit për të dërguar mesazhe të koduara për sektorin energjetik, informacione për vendet e sigurisë në Izrael dhe për zyrtarë të institucioneve politike dhe të sigurisë. Nga autoritetet iraniane nuk është bërë asnjë koment.

/tvklan.al