Ajo ishte vetëm 10 vjeç kur sëbashku me familjen udhëtoi për në tokën e premtuar, Amerikë. Alma Ajazi jetoi dhe studioi në Michigan dhe paralelisht zhvilloi pasionin e saj për modelingun, një pasion që i lindi përmes fotove në moshën 15-vjeçare. Madje Alma është Miss-i i parë në Amerikë e kurorëzuar në konkursin “Miss Albania USA” në vitin 1999. Edhe pse vitet kalonin një pjesë e saj jetonte me Shqipërinë, ndaj edhe në vitin 2000 ajo vendosi të bëhej pjesë e spektaklit Miss Shqipëria, ku u përzgjodh si shoqëruesja e parë e Miss-it.

Më pas ajo u zhvendos në Paris, ku sfiloi edhe në një nga eventet më të rëndësishme siç është “Java e modës”.  Në Paris ajo gjeti edhe dashurinë e jetës së saj dhe në 2015-ën u bë nënë për herë të parë. Sot ajo ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku ndau me të gjithë emocionet e prindërimit.

“Vajza ime sot është 3 vjeç e gjysmë. Izabela është një ëmbëlsirë, është fëmijë me plot jetë. Unë i flas asaj në shqip, anglisht dhe frëngjisht. Ajo ka filluar të flasë shqip dhe bashkëshorti nuk e kupton mirë, kjo do të jetë gjuha jonë sekrete. Bashkëshorti im e ka aktivizuar  Izabelën në disa kompani veshjesh, ku ajo bën reklama dhe paratë e fituara prej saj janë të bllokuara deri në moshën 18 vjeç në mënyrë që ajo të ketë mundësi t’i shfrytëzojë për të vazhduar studimet. Edukimi i saj për mua është kryesor. Fëmija është bekim, thesar. Unë e nxjerr vajzën të luaj në natyrë sepse dua që ajo të lidhet me natyrën”,

tregoi Alma.

/tvklan.al