Hussein akuzon udhëheqësit e vendit për korrupsion dhe paaftësi

Ish-princi i kurorës së Jordanisë vendosur në arrest shtëpiak. Ai thotë se masa është marrë si pjesë e një goditjeje ndaj kritikëve. Në një video të dërguar në BBC nga avokati i tij, Princi Hamzah bin Hussein, gjysmë-vëllai i Mbretit Abdullah, akuzon udhëheqësit e vendit për korrupsion dhe paaftësi.

Ushtria përmes një deklarate tha se atij i është thënë të ndalojë veprimet që mund të dëmtojnë “sigurinë dhe stabilitetin” në vend, por mohoi se e ka arrestuar. Ushtria tha se kjo masë ishte pjesë e një hetimi për sigurinë që rezultoi me ndalimin e një ish-ministri, një anëtari të familjes mbretërore dhe disa personave tjerë, të cilët nuk u identifikuan.

Raportohet se arrestimet e nivelit të lartë lidhen me një komplot të pretenduar grushti shteti. Masa duket se vjen pas një vizite nga princi tek udhëheqësit fisnorë ku thuhet se ai kishte fituar një mbështetje. Princi Hamzah ka mohuar çdo akuzë dhe tha se ai nuk ishte pjesë e ndonjë komploti.

Ndërkohë, fuqitë rajonale duke përfshirë Egjiptin dhe Arabinë Saudite kanë shprehur mbështetje për Mbretin Abdullah.

Shtetet e Bashkuara, të cilat janë aleate me Jordaninë në fushatën e tyre kundër grupit Shteti Islamik, e përshkruan monarkun si një partner kryesor që gëzon mbështetjen e plotë amerikane.

Hamzah, 41 vjeç, ishte princi i kurorës së Jordanisë, derisa mbreti Abdullah e largoi atë më 2004 dhe e caktoi djalin e tij si trashëgimtar të fronit.

Klan News