Ish-Presidenti ukrainas Petro Poroshenko nuk u lejua të largohej nga Ukraina për të marrë pjesë në një takim të NATO-s në Lituani, njoftoi të shtunën grupi parlamentar i partisë së tij.

Zoti Poroshenko u ndalua dy herë në një pikë kufitare me Poloninë, ndërsa ishte nisur për të marrë pjesë në takimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, thuhej në deklaratë.

Mediat ukrainase raportuan se zoti Poroshenko nuk mundi të kalonte kufirin për shkak të “problemeve teknike” me një leje që i mundësonte atij largimin nga vendi.

Por sipas grupit të tij parlamentar zoti Poroshenko ishte pjesë e delegacionit zyrtar të Parlamentit të Ukrainës që do të merrte pjesë në këtë aktivitet dhe kishte marrë të gjitha lejet e duhura për t’u larguar nga vendi.

Falë vendimit të një gjykate të marrë në janar, zotin Poroshenko po hetohet në liri lidhur me akuzat për tradhti, në një hetim që ai thotë se është një sulm i motivuar politikisht, i ndërmarrë nga aleatët e pasardhësit të tij, Presidentit Volodymyr Zelenskiy.

Zoti Poroshenko po hetohet në lidhje me financimin e separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të vendit përmes shitjes së paligjshme të qymyrit në vitet 2014-15./VOA