Arben Rakipi, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” realizuar më 13 Dhjetor të vitit 2001.

Gjatë intervistës përballë gazetarit Blendi Fevziu, ish-Prokurori foli për akuzat e një pjese të madhe të politikanëve shqiptarë kundrejt njëri-tjetrit për lidhjet me krimin e organizuar.

“Në këtë periudhë ajo që duket se po ndodh shpesh kohët e fundit është që shqiptarët nga roli i korrierit, kanë filluar tashmë të marrin rol tjetër, rolin e pritësit ose të urdhëruesit. Krimi i organizuar shqiptar në strukturat ndërkombëtare është i organizuar në mënyrë horizontale me grupe të caktuara të përbërë me jo pak njerëz. Janë grupe që njihen me njëri-tjetrin. Shqiptarët kanë filluar dalëngadalë të zotërojnë tregun në vende si Belgjikë, Angli, Holandë për prostitucionin apo drogat e lehta.

Nga analizat e fundit që kemi bërë edhe me Antimafian italiane rezulton se grupet e organizuara shqiptare merren pak a shumë me të gjitha, nuk kanë treg të përcaktuar që dikush ka drogën, e dikush prostitucionin. Ne ende nuk kemi çështje të argumentuara në Shqipëri që të vërtetojnë lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Duke qenë se jemi një vend i vogël dhe njihemi me njëri-tjetrin përshëndetemi, por kjo nuk do të thotë që jemi të përfshirë. Kontakte të politikanëve mund të ketë plot, por ne nuk kemi çështje të lidhjeve kriminale.

Aktualisht i gjithë mekanizmi shtetëror është aktivizuar dhe po punon për rezultate pozitive. Rasti i “Kadriovskit” është rasti më i mirë i mosfunksionimit të institucioneve të hetimit. Kadriovski është një person i dënuar dhe kërkuar në shumë vende të botës dhe në Shqipëri ishte i pacënuar. Ai ka pasur disa urdhra-arresti në Shqipëri, vepronte si person, ndërsa klientë duhet të këtë pasur shumë. Kadriovski ka qenë i njohur në Evropë me aktivitetin e tij, trafikim droge. Rasti i tij ishte i kalibrit të parë. Institucioni ynë tashmë nuk krijon hije dyshimi për arsye se ne kemi treguar se Arben Rakipi, shteti apo Prokuroria pavarësisht se mund të të ketë nëpunës përfundon në burg nëse ke shkelur ligjin”,

tha Rakipi.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012