Një ish – roje i kampit famëkeq nazist të Auschwitz i kërkoi ndjesë viktimave, teksa doli para gjykatës, duke u shprehur se i vinte keq që kishte qenë pjesë e një “organizate kriminale”, që kishte vrarë kaq shumë njerëz dhe kishte shkaktuar kaq shumë dhimbje.

“Më vjen turp që në mënyrë të vetëdijshme lashë të ndodhnin padrejtësi dhe nuk bëra asgjë për t’i ndalur ato

”, u shpreh Reinhold Hanning, një ish – oficer i partisë Naziste.

94 – vjeçari akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e të paktën 170 mijë personave.

Të mbijetuarit e holokaustit, të cilët treguan me detaje eksperiencat e tyre të tmerrshme në gjyqin e nisur në Shkurt, kishin insistuar disa herë që i akuzuari të thyente heshtjen, në atë që konsiderohet si një ndër çështjet e fundit gjyqësore të holokaustit në Gjermani.

Dhe më në fund, Hanning e theu heshtjen pas 12 seancave dëgjimore, të cilat zgjatën rreth 2 orë për shkak të moshës së tij.

Në deklaratën e gjatë, e cila u lexua para trupit gjykues nga avokati mbrojtës, Hanning pranoi se kishte qenë në dijeni të ekzekutimeve masive në kampin e vdekjes nazist.

94 – vjeçari, i cili u dërgua me detyrë në kamp pasi mbeti i plagosur në fushëbetejë, tha se do të kishte dashur që të mos kishte qenë kurrë në atë kamp.

Kërkesës së Hanning për falje, një prej të mbijetuarave të holokaustit iu përgjigj duke thënë: “E pranoj ndjesën e tij, por nuk mund ta fal”.

Hanning akuzohet nga Prokuroria e Dortmund, sëbashku me autoritetet e 40 vendeve të tjera, përfshirë Hungaria, Izraeli, Kanadaja, Britania e SHBA, se iu bashkua vullnetarisht forcave SS në moshën 18 – vjeçare, në vitin 1940.

Megjithatë, para gjykatës ai u shpreh se kishte njerka që e kishte nxitur të bëhej pjesë e partisë naziste.

Gjykata pritet të japë verdiktin më 27 Maj. /tvklan.al