Ish zv/drejtori i Policisë së Elbasanit, Shkëlqim Pepkolaj ka zbardhur arsyen përse dhe si ka nisur konflikti mes fiseve Çelaj dhe Çapja në Elbasan, që më pas ka vazhduar me përplasje të armatosura duke shkaktuar viktima dhe të plagosur.

Në një lidhje me Skype për emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, Shkëlqim Pepkolaj thotë se nuk kishin dijeni apo informacione se mund të ndodhte masakra e 3 Shkurtit në Elbasan, ku u sulmuan me armë pjesëtarë të fisit Çapja, duke shkaktuar 3 të vrarë dhe 9 të plagosur.

Ish zv/drejtori i Policisë Elbasan tregon se konflikti mes fiseve Çelaj dhe Çapja në qytetin e Elbasanit ka nisur fillimisht si përplasje fizike mes pjesëtarëve të këtyre grupeve.

Spartak Koka: A kishit ju informacion se pritej të ndodhte masakra e 3 Shkurtit 2016? A kishit marrë ju informacione policore se përplasja mes grupeve Çelaj dhe Çapja ishte në këtë pikë sa do arrinim në një masakër, siç ishte ajo e 3 Shkurtit me 3 të vdekur dhe 9 të plagosur.  

Shkëlqim Pepkolaj: Nuk kemi patur asnjë të dhënë në raport me pritshmërinë e një ngjarje të tillë në përmasa të kësaj natyre, sikurse ishte dhe ngjarja e ndodhur.

Spartak Koka: Përse hetimet në ditët e para u fokusuan vetëm tek përplasja e Çapjave me konfliktin e mëhershëm, me Memajt, me Sheme, me Rexhepi? Përse u fokusua aty dhe nuk u fokusua në pistën tjetër?

Shkëlqim Pepkolaj: Që të jem i sinqertë, në këtë periudhë kohore bëhej fjalë vetëm për një konflikt fizik që ekzistonte ndërmjet lidhjeve të grupit Çelaj me disa lidhje të grupit të Çapjave, një konflikt fizik dhe si i tillë ne nuk posedonim një informacion të tillë që mund të prodhonte ngjarje të përmasave të tilla.

Spartak Koka: Pra, kishit informacion se Çelajt dhe Çapjat, anëtarët e tyre, ishin përplasur me njëri-tjetrin fizikisht?

Shkëlqim Pepkolaj: Ishte një informacion që fliste për një përplasje?

Spartak Koka: Përse kishte ndodhur, sipas informacionit që ju kishit?

Shkëlqim Pepkolaj: Përplasje fizike e aty për atyshme.

Shkëlqim Pepkolaj nuk është më pjesë e Policisë së Shtetit dhe është larguar nga Shqipëria. Ai jeton në një vend të Bashkimit Europian. /klanplus