Histori me zhurmues – Viti 1948 ka patur disa ngjarje shumë të rëndësishme në jetën politike të vendit tonë. Një nga këto ishte edhe prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë që natyrisht pati viktimat e veta, dhe një ndër to ishte edhe ministri i Brendshëm i asaj kohe Koçi Xoxe.

Për të folur për këtë temë ishte i ftuar në “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, Myftar Tare ish-zv.ministër i Brendshëm.

“Koçi u arrestua dhe i krijuan akuza të rënda. U akuzua si bashkëpuntor me Jugosllavët, por ata kishin kontakte vetëm me Enverin. Mund të thuash që ai anonte nga grekët sepse i njihte shumë dhe kishte shokë grekë sepse kishte mbaruar gjimnazin në Selanik dhe kishte dalë i shkëlqyer. Arrestimi u bë për Koçin, u arrestua Pandi Kristo që ishte anëtar i Byrosë, u arrestua Vasko Leci që ishte zv. ministër për Sektorin e Brendshëm, u arrestua Vango Mitrojorgji dhe më arrestuan edhe mua.

Në fillim pata një arrest shtëpie, por në hetuesi nuk dola fare. Në atë kohë mua më kishin nxjerrë pashaportë që të shkoja dhe të studioja në Moskë, por u ngritën mjaft oficerë dhe kundërshtuan dhe për mungesë vigjilence më dhanë vërejtje dhe më çuan në pushtetin civil. Në vitin 1952 mua më kërkuan të kthehesha në vendin që kisha, me kërkesën e këshilltarëve sovjetikë. Më thirri Mehmeti me Kadriun, por unë nuk pranova dhe iu thash që nuk e ndjej veten moralisht mirë të kthehem në vendin ku u dënova. Në fund të ’48 u duk se çështja kishte marë erë, ne nuk ishim në mbledhjen e kampit socialist.

Që në Shkurt të 1948 unë mbaja lidhje vetëm me Enverin. Raportet e Enverit me Koçi Xoxen linin përshtypje të mira, ata rrinin afër me njëri-tjetrin, kishin shtëpitë afër dhe më duket gatuanin në një kuzhinë. Nako Spiru u akuzua në atë kohë për ftohtësi ndaj Jugosllavëve, por ne nuk dinim ndonjë gjë të hollësishme. Për Koçi Xoxen them se akuzat ishin të pavend, bile kur u bë festa e 10 korrikut të 1948 aty ishte edhe Tempo, doli në tribunë puthej me Enverin, puthej edhe me Koçin sa që ne çuditeshim.

Dhe vallëzimin e çeli Tempo me Nexhmijen. Në konferencën që u bë në Berat u analizua puna dhe pati kritika Enveri. U kërkua që të shkarkohej Enveri për fajet që kishte bërë. Enveri ra dakort por kërkoi që Sekretar i Përgjithshëm të zgjidhej Tito dhe aty i pari që u ngrit kundër ishte Koçi i cili i kërkoi Enverit të qëndroi në vendin që kishte, por të pyeste më shumë. Ky ishte qëndrimi i Koçit.

Enveri mua më ka mbrojtur në mbledhje. Gjatë bombardimeve unë u plagosa në Greqi, por Enveri nuk e dinte. Divizioni i 8-të i grekëve ishte me qendër në Janinë”, tregoi ish-zv.ministri Tare.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al