Ferdinand Shehu: Janë para nga shitja e një hoteli

Ish-nëndrejtorit të ALUIZNI-t në kryeqytet Ferdinand Shehut, iu sekuestruan 1.5 milionë euro  vlerë monetare me dyshimin se janë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme.

Sipas policisë Shehu përmes një banke të nivelit të dytë ka tentuar transferimin e 1 milion eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat. Ndaj Shehut nuk është lëshuar urdhër arresti, por janë sekuestruar vetëm vlerat monetare.

Hetimet vijojnë për origjinën e shumës së bllokuar dhe a i justifikon ish-zyrtari i lartë ato.

Akuza është ajo për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme.

Policia nuk e publikoi emrin e Shehut ne njoftimin për shtyp, por tha vetëm se bëhej fjalë për një ish – punonjës të administratës shtetërore i cili në vitet 2006 – 2011 ka mbajtur funksione zyrtare në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane.

Ferdinand Shehu reagoi pas njoftimit të policisë duke pranuar kështu se ishte ai personi që i janë bllokuar paratë dhe duke hedhur poshtë akuzat për pastrim parash.

Ai sqaroi se 1.5 milionë eurot e sekuestruara janë të ardhura të siguruara nga shitja e një hoteli në kryeqytet dhe se nuk ka fshehur asgjë, ndaj do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore kundër këtij vendimi.

Në periudhën 2006-2010 Shehu ka mbajtur  postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm pranë Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale.  

Në 2011 ai mori drejtimin e këtij institucioni për t’u shkarkua 1 vit më pas. Argumenti i shkarkimit ishte fshehja e të kaluarës e para vitit 1992, pasi ai kishte punuar për 4 vjet në hetuesinë e Vlorës, por nuk e kishte deklaruar në CV-në e tij.  

Tv Klan