“Ishalla Zoti na ndihmon që kur të vijmë, Renisi të vijë me këmbë…”

“Ishalla Zoti na ndihmon që kur të vijmë, Renisi të vijë me këmbë…”

20:33 09/10/2019

14-vjeçari i aksidentuar niset me avion drejt Ankarasë

Para pak ditësh “Stop” transmetoi apelin e prindërve, Remzi Muça dhe Bukuroshe Xhediku për djalin e tyre Renis Muça, 14 vjeç, i aksidentuar në 17 Korrik 2019.

Nga Spitali i Traumës ata kërkuan 60 mijë euro për 4 muaj trajtim në një spital privat në Ankara dhe shumën për avionin, që të bëhet transporti.

Pas këtij apeli fondacioni “Shqiptarët për shqiptarët” gjeti mundësinë e avionit ambulator dhe Elvis Naçi tha se janë depozituar edhe 5 mijë euro për kurimin e tij.

Ndërsa sot, Renisi është nisur drejt Ankarasë në Turqi, ku do të marrë ndihmë mjekësore të specializuar.

“9 Tetor 2019 do të mbahet mend gjatë. Edhe një herë tjetër shqiptarët u bashkuan të gjithë sëbashku. Jemi vendosur në Spitalin e Traumës, pasi në këto momente Renisi është duke u përgatitur për t’u nisur drejt Ankarasë. Ora shënon 3 e mëngjesit, shkojmë dhe shohim përgatitjet e fundit përpara se Renisi të niset drejt shpëtimit të tij”, tha gazetarja e Stop nga Spitali i Traumës.

E teksa 14-vjeçari transportohej nga spitali, nëna e tij tha: “Është moment shumë i gëzueshëm, dëshirën që kisha m’u plotësua. Doktorët kanë dhënë një ok, që udhëtimin e përballon. Me spitalin e Ankarasë, gjithçka në rregull. Është i gatshëm të udhëtojë, ishalla Zoti na ndihmon që kur të vijmë, Renisi të vijë me këmbë, të ecë vetë, siç po ecim edhe ne”.

“Ju faleminderit për gjithçka që u bë nga ana juaj. Falenderoj Televizionin Klan, emisionin Stop, Elvis Naçin, të gjithë shqiptarët që kontribuuan në të hollat për të mundësuar lëvizjen e çunit drejt Turqisë në Ankara, për t’u kuruar. Urojmë Zotin të na ndihmojë dhe të kthehet sa më mirë”, shtoi babai i Renisit.  

Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj falenderuan të gjithë ata që ndihmuan këtë familje për të çuar drejt Turqisë djalin e tyre. Megjithatë 14-vjeçari ka akoma nevojë për ndihmën e të gjithëve bashkë për vlerën e 60 mijë eurove, për kurimin e tij në Turqi. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT