Një varkë që transportonte emigrantë ilegalë nga Turqia për në ishujt grekë është fundosur në Ayvalik. Media turke raporton se 9 persona kanë humbur jetën, 5 janë shpëtuar ndërsa 3 të tjerë përfshirë organizatorin rezultojnë të zhdukur.

Lajmi për mbytjen e varkës me emigrantë të paligjshëm rreth 2.5 milje nga ishujt grekë ka mbërritur në Rojën Bregdetare Turke në orën 14:05 të së premtes.

Në zonë u nisën menjëherë 4 varka shpëtimi dhe 2 helikopterë, të cilët arritën të shpëtojnë 1 grua, 1 fëmijë dhe 3 burra. Po ashtu gjatë operacionit u arrit të gjenden edhe trupat e 9 personave, 5 prej të cilëve fëmijë dhe 4 gra.

Sipas dëshmive të para të të mbijetuarave, në varkë ndodheshin 17 persona.

Autoritetet turke vijojnë kërkimin për 3 të zhdukurit. Sipas medias turke, në varkë gjendeshin 3 familje me emigrantë të paligjshëm nga Afganistani, të cilët kërkonin të shkonin në Greqi. /tvklan.al