Autoritetet pretendojnë për 116 të riinfektuar

Në Maqedoninë e Veriut, 116 persona janë riinfektuar me Covid-19, kurse dy prej tyre kanë ndërruar jetë, thonë të dhënat e ISHP-së. Nga Sektori për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive kanë njoftuar se janë riinfektuar persona nga 6 deri 77 vjeç, kurse 93 raste janë të moshës mbi 30 vjeç.

Në mungesë të vaksinave dhe në pritje të fillimit të imunizimit masiv në Maqedoninë e Veriut, duket se imuniteti kolektiv po krijohet në mënyrë natyrore.

Një analizë e Institutit për Imunolobiologji thotë se çdo i treti qytetar i vendit ka antitrupa të Covid-19. Hulumtimi i zbatuar ndaj 1.000 kalimtarëve të rastit në gjashtë lokacione të Shkupit gjatë dy javëve të kaluara, ka treguar se 31% prej tyre kanë antitrupa ose çdo i treti qytetar e ka kaluar Covid-19.

Në këtë analizë ishin marrë mostra nga njerëz që e kanë ditur se e kanë kaluar virusin, por edhe nga të tjerë që nuk kanë qenë të prekur ose nuk e kanë ditur se kanë qenë të infektuar.

Përkundër këtyre të dhënave, situata në terren duket shqetësuese. Tashmë sërish janë aktivizuar covid-qendrat në Klinikat e Shkupit dhe në spitalet e shumë qyteteve tjera, kurse kapacitetet spitalore po mbushen me ritëm të përshpejtuar. Janë mbi 1.000 pacientë që trajtohen nëpër covid-qendrat.

Alarmi është dhënë nga Zv/Ministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, i cili ka bërë thirrje që të respektohen masat anti-covid për shkak të presionit të vazhdueshëm ndaj sistemit shëndetësor.

“Përderisa spitalet janë të stërmbushura me pacientë që trajtohen nga komplikime me Covid-19, e madje as edhe në spitale private vështirë të gjesh vend të lirë, në lokale e kafene ahengu s’ka të ndalur. Ky moskujdes do të na kushtoj. Kujdes, sa nuk është shumë vonë!”, ka shkruar Hasani në Facebook.

Situata e këtillë dhe presioni në rritje ndaj sistemit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut, kanë ndikuar që autoritetet të mendojnë për masa të reja shtrënguese sidomos në lëvizjen e qytetarëve. Jo zyrtarisht përflitet se gjatë fundjavës ora policore mund të fillojë nga ora 17:00 e jo nga ora 22:00 sa që është aktualisht.

Tv Klan