Shkon në mbi 600 numri i të helmuarve

Helmimi i banorëve të Krujës u shkaktuar nga bakteret në ujin e pijshëm. Analizat zyrtare të institutit të shëndetit publik tregojnë prezencë të bakterit enterokok në një pikë burimi të ujit.

“Nga analizat e marra nga ISHP ka rezultuar që në një pikë të vetme të ujësjellësit ka rezultuar bakteri enterokok, shkak i këtyre shqetësimeve, do e ndjekim me rigorozitet, epidemi e shkaktuar nga uji. Nga shirat e rënë”.

Nëndrejtori i ISHP, Dritan Ulqinaku thotë se për një muaj ujësjellësi në Krujë do të jetë nën monitorim nga ISHP deri në normalizimin e plotë të situatës dhe furnizimin me ujë të pijshëm për banorët.

“Derisa them që është një epidemi hidrike përgjegjësia i bie Ujësjellësit të Krujës. Duhet të kishte qenë më i kujdesshëm për të ndaluar në kohë, që me turbullirën e parë. Qyteti i Krujës do të jetë në një monitorim edhe nga ISHP, një monitorim pothuajse një mujor derisa të sigurohemi që çdo gjë është në rregull”.

Situata në spitalin e Krujës ishte më e qetë të enjten. 130 persona të tjerë i janë drejtuar për shërbim urgjencës duke e çuar në mbi 600 numrin e të prekurve nga helmimi.

Ndërkohë ujësjellësi i Krujës ka njoftuar se do të rinisë furnizimin për banorët, por thekson se ai nuk duhet të përdoret për konsum apo gatim por vetëm për qëllime sanitare. 

Tv Klan