Daja: Vaksina do te ofrohet falas për kategoritë më të rriskuara

Në prag të gripit stinor pritet të nise shpërndarja e vaksinës anti-grip në të gjithë vendin, mbi 200 mijë doza. Përgjegjësja e Programit Kombëtar të Vaksinimit në ISHP, Rovena Daja shprehet se vitet e fundit është shtuar interesi për këtë vaksinë.

“Sasia e vaksinave që do të vijnë do të jetë njësoj si e një viti më parë, ndërkohë që do të jenë të dyja variantet edhe 3 edhe 4 valente dhe vjen e gjithë sasia brenda muajit Tetor. Vemë re se çdo vit numri i kërkesave po rritet, jo vetëm nga personeli shëndetësor, por dhe nga persona që janë jo vetëm mbi 60, por dhe mbi 50 vjeç që e këkrojnë, pavarësisht që disa prej tyre mund të mos kenë sëmundje shoqëruese”, është shprehur Rovena Daja.

Specialistja e ISHP tregon disa nga kategoritë që e përfitojnë vaksinën antigrip falas, duke veçuar moshat mbi 60 vjeç dhe të sëmurët kronikë.

“Iu rekomandojmë që ta aplikojnë të gjithë personat që janë me sëmundje kronike, mosha sidomos mbi 60 vjeç që kanë edhe sëmundje shoqëruese, ndërkohë edhe grave shtatzëna kemi vite që ia rekomandojmë sepse i mbron gjatë kësaj periudhe, por mbi të gjitha personelit shëndetësor sepse janë gjatë gjithë kohës në kontakt me pacientët dhe mund ta marrin gripin dhe t’ja transmetojnë pacientëve të tjerë që shkojnë për vizitë. Për të gjithë këto grupe ajo ofrohet falas”, ka thënë Rovena Daja.

Ndërkohë për personat që nuk e përfitojnë falas vaksinën antigrip, mund ta sigurojnë atë kundrejt pagesës në farmaci.

Klan News