Prania e mushkonjave në plazhet e vendet është kthyer në shqetësim për pushuesit e këtij fund Qershori.

Ekspertët pajtohen që procesi i dezinsektimit duhet të ishte kryer në fund të pranverës, atëherë kur mushkonjat janë në fazë larvore.

Megjithatë entomologia, Enkelejda Dikolli, nga Instituti i Shëndetit Publik thotë se ndaj tyre mund të ndërhyhet edhe në muajt e verës.

“Trajtimet duhet të kryhen çdo 2 javë, si në Maj, si në Qershor, Korrik dhe në vijim të sezonit të zhvillimit. Trajtimi në një faze të hershme ka një ndikim më të madh në popullatën e mushkonjave dhe efektivitet më të lartë, por çdo trajtim që kryhet ka një ndikim”.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti, i qëndron mendimit se ky proces duhet të ishte kryer përpara sezonit veror.

Buxheti i shtetit ka vendosur në dispozicion një fond prej 79 milionë lekësh për dezinsektimin e zonave bregdetare dhe urbane.

Procesi ka mbetur pezull, për shkak se tenderi i shpallur nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara është ankimuar nga 2 subjekte ne Komisionin e Prokurimit Publik, por nga këta të fundit nuk ka ende një vendim.

Tv Klan