“Disa prej tyre kanë vetëm datën e prodhimit”

Sasitë e vaksinave antiCovid që po administrohen aktualisht në Shqipëri nuk janë në prag të skadencës. Erida Nelaj, përgjegjëse e programit kombëtar të vaksinimit, sqaron për Tv Klan, se për secilin lot që mbërrin në vend është e përcaktuar qartë në dokumentacion data e prodhimit dhe e skadencës se vaksinave.

“Nëse në një flakon vaksine nuk ka datë, por ka vetëm muaj dhe vit data e skadencës është dita e fundit e muajit. Në muajin tjetër ajo del nga frigoriferi dhe mbahen procesverbalet përkatëse. Në rastet kur ka datë fikse ajo është data e fundit kur mund të përdoret. Mund të jenë edhe vaksina si ajo e koronavakut e cila në paketimin e saj nuk ka datën e skadencës, por datën e prodhimit”.

Nelaj na tregon më tej sesi veprohet me vaksinat e skaduara apo ato që mund të dëmtohen përgjatë procesit.

“Dokumentohet sasia, loti, data e skadencës, mund të ndodhë që një vaksinë nuk skadon, por dëmtohet, të gjitha këto grumbullohen dhe eliminimi i tyre është shumë i lehtë siç ndodh edhe me medikamentet e tjera mjekësore pasi asnjëra prej tyre nuk ka virus të gjallë që të kërkojë një procedurë specifike eliminimi”.

Në fillim të muajit shtator Kosova asgjesoi rreth 133 000 doza vaksine AstraZeneca të cilave iu përfundoi afati i përdorimit. Po ashtu të tjera shtete si Franca, Polonia, Britania e Madhe, Lituania dhe Izraeli, kanë raportuar në 6 muajt e fundit për doza vaksinash të skaduara.

Tv Klan